Policia italiane ka arrestuar në Brescia një 33-vjeçar shqiptar të dënuar me 3 vite e 7 muaj burg, i cili ishte në kërkim për më shumë se katër vjet.
I riu, me qëndrim të paligjshëm në Itali dhe me një sërë precedentësh penalë, u lokalizua në një hotel të qytetit dhe u kap pas një operacioni të koordinuar nga Policia dhe Prokuroria Publike e Brescias.
Ai ishte dënuar për krime kundër pronës, mashtrim dhe trafik droge. Pas identifikimit në selinë qendrore të Policisë, shqiptari u transferua në burgun Canton Mombello për të vuajtur dënimin.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar rrjetin që e ndihmoi të fshihej gjatë viteve të arratisë. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore dhe historikut kriminal, është lëshuar edhe një urdhër dëbimi nga Italia që do të zbatohet pas përfundimit të dënimit.


