SHBA– Ka folur për herë të parë babai i 20-vjeçarit Thomas Matthew Crooks, i cili tentoi të vriste gjatë një tubimi ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Ai ka folur me gazetarët pasi ka qenë duke dalë nga një supermarket.
Fjalët e para që Matthew Brian Crooks u tha gazetarëve, sipas New York Post janë se familja e tij thjesht po përpiqet të “kujdeset për veten”, ndërsa 53-vjeçari u kërkoi gazetarëve të qëndronin larg nga anëtarët e familjes së tij.
“Ne thjesht po përpiqemi të kujdesemi për veten tani. Ju lutemi na jepni hapësirë. Ne do të vazhdojmë me një deklaratë kur avokati ynë ligjor të na japë dritën jeshile, deri atëherë, ne nuk kemi asnjë koment.”- u lut babai i vrasësit të mundshëm ndërsa ngarkonte çantat në bagazhin e makinës së tij.
Ish-presidenti Donald Trump, njëkohësisht kandidati për President të SHBA-ve u qëllua me armë zjarri gjatë një takimi elektoral në Pensilvani të shtunën e 13 Korrikut. U plagos në veshin e djathtë ndërkohë tashmë gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. 20-vjeçari, Thomas Matthew Crooks i dyshuar si autori i sulmit u vra.


