Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka sekuestruar një apartament dhe dy llogari bankare në emër të shtetasit V.D., i njohur edhe me aliaset E.D. dhe E.D., si dhe familjarëve të tij.
V.D. është arrestuar në Itali për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Trafikimit të narkotikëve”. Në kuadër të procedimit pasuror nr. 03, datë 17.04.2025, hetimet treguan se pasuritë në fjalë – një apartament në Tiranë dhe dy llogari bankare me vlerë mbi 2.6 milionë lekë – nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme dhe dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale, përfshirë prodhimin dhe shitjen e narkotikëve.
Sipas Prokurorisë, pasuritë janë në zotërim të plotë të V.D. dhe të nënës së tij. Sekuestrimi u bë në zbatim të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar… nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
1. Një apartament në Tiranë;
2. Një llogari bankare me gjendje 1,097,636.86 lekë;
3. Një tjetër llogari bankare me gjendje 1,601,434.50 lekë.
Autoritetet vijojnë hetimet në kuadër të pastrimit të pasurive me burim të dyshimtë.

