Autoritetet greke kanë arrestuar një 40-vjeçar shqiptar, i cili ishte arratisur nga Trikala në vitin 2018, pasi nuk ishte rikthyer nga një leje e përkohshme e dhënë nga administrata penitenciare.
Sipas mediave lokale, shqiptari vuante dënimin për grabitje, tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ai u kap në stacionin e autobusëve të qytetit, ndërsa përpiqej të largohej me autobus.
Efektivët e njësisë DIAS kontrolluan dhe identifikuan menjëherë personin, duke vërtetuar se bëhej fjalë për të arratisurin e vitit 2018.
Pas arrestimit, 40-vjeçari pritet të rikthehet në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.


