Një ngjarje e rëndë ka tronditur Sarandën, ku pas një dite kërkimesh është gjetur trupi i pajetë i turistit portugez A. G., 57 vjeç, i cili ishte raportuar i zhdukur nga familjarët dhe miqtë e tij.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare, pas informacioneve të mbledhura mbi lëvizjet e fundit të të ndjerit, arritën të lokalizojnë trupin në det, në një zonë pranë vendit ku ai ishte parë për herë të fundit. Menjëherë pas konstatimit, trupi u nxor nga uji dhe u transportua drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Dyshimet e para janë se 57-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e mbytjes, por autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë deri në përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore. Grupi hetimor po vijon punën për të dokumentuar ngjarjen dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e saj.


