Autoritetet indoneziane kanë nisur kërkime intensive për një avion të vogël me 11 persona në bord, i cili humbi kontaktin ndërsa fluturonte mbi pjesën lindore të vendit.
Avioni, në pronësi të kompanisë Indonesia Air Transport, po udhëtonte nga Jogyakarta drejt Makasarit në Sulaveshin e Jugut. Në bord ndodheshin tre pasagjerë dhe një ekuipazh prej tetë personash. Kontakti i fundit me avionin u regjistrua pak pas orës 13:00, sipas kohës lokale.
Kreu i shërbimit lokal të kërkim-shpëtimit, Muhammad Arif Anuar, njoftoi se ekipet janë vendosur në një zonë malore në rajonin Maros, rreth 42 km larg Makasarit, ku u regjistrua gjurmimi i fundit i avionit. Në kërkimet po marrin pjesë forcat ajrore, policia dhe vullnetarë, ndërsa një helikopter dhe një dron janë dërguar për të lokalizuar avionin, sipas Anty Sultan, drejtor i operacioneve të kërkim-shpëtimit të Makasarit.
Autoritetet vijojnë operacionin me shpresën për të gjetur avionin dhe pasagjerët të sigurt.


