Aktivistët shqiptarë Besjana Guri dhe Olsi Nika, nga organizata EcoAlbania, janë shpallur fitues të Çmimit Goldman për Mjedisin 2025, njohur gjerësisht si “Nobeli i Gjelbër”. Ata u vlerësuan për përpjekjet e jashtëzakonshme në mbrojtje të lumit Vjosa, që kulmuan me shpalljen e tij si Parku i Parë Kombëtar i një lumi të egër në Evropë në mars 2023.
Gjatë ceremonisë në San Francisko, Guri dhe Nika folën me përulësi për çmimin dhe theksuan se fitorja është rezultat i një beteje 12-vjeçare që përfshiu komunitete lokale, shkencëtarë dhe qytetarë të thjeshtë që “nuk pranuan të heshtnin”.
“Jam e nderuar dhe e përulur që marr këtë çmim edhe në emër të të gjithë atyre që ishin pjesë e kësaj beteje, për të mbrojtur jo vetëm një lumë, por të ardhmen tonë”, tha Besjana Guri. Ajo shtoi se “ky çmim është një kujtesë se kur njerëzit mblidhen bashkë, mund ta bëjnë të pamundurën të mundur”.
Olsi Nika, nga ana tjetër, theksoi rëndësinë e Vjosës si një model suksesi në mbrojtjen e natyrës në Evropë:
“Ka më shumë se një paralelizëm mes meje dhe këtij lumi që rrjedh i egër… Ne ia dolëm të ndalim 45 hidrocentrale dhe të bindim qeverinë shqiptare të shpallë parkun kombëtar”.
Përpjekjet për mbrojtjen e lumit Vjosa nuk përfundojnë me këtë fitore. Guri dhe Nika janë tashmë të angazhuar në mbrojtjen e degës Shushica, që rrezikohet nga plane për devijimin e ujit.
Lumi Vjosa, me një rrjedhje prej rreth 400 km përmes Shqipërisë dhe Greqisë, konsiderohet një nga ekosistemet më të paprekura të ujërave të ëmbla në kontinentin evropian.
Çmimi Goldman për Mjedisin u krijua në vitin 1990 dhe u jepet çdo vit individëve nga gjashtë kontinente për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e mjedisit dhe të komuniteteve lokale.