Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka kritikuar ashpër mënyrën se si vendet europiane po menaxhojnë flukset migratore, duke paralajmëruar se disa shtete po përballen me atë që ai e cilësoi si një “pushtim”.
Deklaratat u bënë gjatë ceremonive përkujtimore në Normandi, me rastin e 82-vjetorit të D-Day, operacionit që hapi rrugën për çlirimin e Europës Perëndimore nga pushtimi nazist.
Në fjalën e tij, Hegseth krahasoi sfidat historike të kontinentit me situatën aktuale të migracionit, duke argumentuar se brigjet e disa vendeve europiane po përballen me presion të vazhdueshëm nga mbërritja e emigrantëve.
“Fatkeqësisht, sot brigje të tjera europiane po përballen me kërcënime të ndryshme. Brigjet e Spanjës, Italisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Varka me emigrantë vazhdojnë të mbërrijnë. Pyetja është: kur do të reagojnë kryeqytetet europiane?”, deklaroi ai.
Komentet e Hegseth vijnë në vijim të kritikave të administratës së presidentit Donald Trump ndaj politikave europiane të emigracionit.
Një ditë më parë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance lidhte vrasjen e 18-vjeçarit britanik Henry Nowak me atë që e quajti “emigracion masiv”, duke kërkuar masa më të ashpra për menaxhimin e fenomenit.
Deklaratat e dy zyrtarëve të lartë amerikanë pritet të ngjallin reagime në kryeqytetet europiane, në një kohë kur emigracioni mbetet një nga çështjet më të debatueshme në agjendën politike të Bashkimi Evropian.


