Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Sarandës, pasi gjatë një operacioni të zhvilluar në qytet u kap me armë zjarri dhe lëndë narkotike, të cilat dyshohet se i posedonte për aktivitet kriminal.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Administratori”, i zhvilluar pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrolleve të ushtruara në ambiente të ndryshme të qytetit.
Sipas Policisë, në lokalin që administrohej nga shtetasi A.H., 37 vjeç, në lagjen nr. 4 të Sarandës, si dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tij, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me një krehër që përmbante shtatë fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Hetuesit dyshojnë se lënda narkotike mbahej me qëllim shpërndarjen dhe shitjen në doza, ndërsa arma e zjarrit posedohej pa leje.
Të gjitha materialet e sekuestruara janë administruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa 37-vjeçari është arrestuar në flagrancë për veprat penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.


