Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Qytetarët sërish protestë në Tiranë kundër resortit në Zvërnec

    “Zvërneci”/ Protesta dhe në Shkodër, qytetarët me pankarta në duar nisin marshimin drejt bashkisë

    “Zvërneci”/ Protestë kundër ndërtimit të resortit edhe në SHBA, shqiptarët mblidhen para ambasadës

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Kosovë

    Hasani: Tërheqja e SHBA-së do të zbehë rëndësinë e mendimeve të Komisionit të Venecias në Ballkan

    January 8, 2026

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, aktualisht profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Komisioni i Venecias, ku nuk ishte anëtar, por vetëm vëzhgues, do të zbehë peshën dhe rëndësinë e mendimeve të këtij institucioni në Ballkanin Perëndimor.

    “Kjo shihet pikërisht në faktin se ka pasur raste kur rekomandimet e Komisionit të Venecias janë ridërguar për sqarim dhe për një opinion të dytë, me rastin e Kosovës në vitet e fundit si shembull tipik, pikërisht për shkak se SHBA-ja në Kosovë, gjatë Qeverisë Kurti II, nuk ka treguar ndonjë interesim për ndërhyrje në çështjet e sundimit të ligjit, siç ka qenë rasti në të kaluarën”, thotë Hasani në një intervsitë për Radion Evropa e Lirë.

    Hasani ishte përfaqësuesi i parë i Kosovës në Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës, kur Kosova u bë anëtare e këtij institucioni në shtator të vitit 2014.

    Profesor Hasani thotë se ky vendim i Uashingtonit – i cili u tërhoq edhe nga 65 organizata të tjera ndërkombëtare që i cilësoi si “joefektive” – do t’i “inkurajojë politikanët populistë” në rajon që të dalin jashtë standardeve të sundimit të ligjit të skicuara në kornizën juridiko-kushtetuese të Komisionit të Venecias.

    Sipas Hasanit, ndër ndikimet më të mëdha të pranisë së Uashingtonit në këtë institucion kishte të bënte me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    SHBA-ja ishte “garantuese në hije e zbatimit të opinioneve” të Venecias nga shtetet e Ballkanit

    Radio Evropa e Lirë: Sa i rëndësishëm ka qenë në praktikë angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Komisionin e Venecias, pavarësisht statusit të tyre si vëzhgues?

    Enver Hasani: Ka qenë shumë i rëndësishëm, për shkak se Shtetet e Bashkuara, si një fuqi globale, jo vetëm që kanë mbështetur financiarisht punën e Komisionit, por edhe kanë pasuruar mendimet dhe raportet e Komisionit përmes ndërveprimit të vazhdueshëm që kanë pasur me trupat e tij në çështje të ndryshme juridiko-kushtetuese. Prania e SHBA-së ka qenë sinjal i efektit global të punës së Komisionit, i cili është forcuar edhe përmes ndikimit të SHBA-së nëpër botë.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë sinjali politik dërgon tërheqja e SHBA-së për qeveritë e Ballkanit Perëndimor që përballen me kritika lidhur me sundimin e ligjit, proceset zgjedhore apo reformat kushtetuese?

    Enver Hasani: Një ndër ndikimet e prezencës së SHBA-së në Komisionin e Venecias ka pasur të bëjë me vendet e Ballkanit. Nuk ka kushtetutë dhe ligj sistemik që është nxjerrë në këto vende e që nuk ka kaluar filtrin e ekspertizës së Komisionit të Venecias. SHBA-ja, për shkak të ndikimit të madh politik në vendet e Ballkanit, ka shërbyer si një lloj garantuese në hije e zbatimit të mendimeve dhe opinioneve të Komisionit të Venecias. Deri në këtë moment që po flasim, nuk mbahet mend që ndonjëri nga vendet e Ballkanit të mos ketë zbatuar me besnikëri mendimet dhe vlerësimet e Komisionit të Venecias.

    Radio Evropa e Lirë: A mund ta ulë kjo presionin ndaj udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor për të zbatuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe nëse po, në çfarë mënyre?

    Enver Hasani: Jo domosdoshmërish. Kjo varet nga interesi bilateral që SHBA-ja mund të ketë në rastin konkret për implementimin e ndonjë rekomandimi të Komisionit të Venecias.

    Si rregull, në parim, duhet thënë se tërheqja e SHBA-së e zbeh dukshëm peshën dhe rëndësinë e mendimeve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias në Ballkan. Kjo shihet pikërisht në faktin se ka pasur raste kur rekomandimet e Komisionit të Venecias janë ridërguar për sqarim dhe për një opinion të dytë, me rastin e Kosovës në vitet e fundit si shembull tipik, pikërisht për shkak se SHBA-ja në Kosovë, gjatë Qeverisë Kurti II, nuk ka treguar ndonjë interesim për ndërhyrje në çështjet e sundimit të ligjit, siç ka qenë rasti në të kaluarën.

    Ndikimi i SHBA-së për mendimet e Komisionit për Kosovën

    Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh mbështetjen e Kosovës në opinionet e Komisionit të Venecias gjatë mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe zgjedhore, a mund të reduktojë tërheqja e SHBA-së peshën politike të këtyre opinioneve ose t’i bëjë ato më të lehta për t’u injoruar nga aktorët vendorë?

    Enver Hasani: Po. Një gjë e tillë është e pritshme dhe, siç e thashë, shenjat e para Kosova i ka dhënë gjatë viteve të fundit, kur ka ridërguar për opinion të dytë disa prej strukturave të saj normative, pavarësisht se mendimet dhe rekomandimet e Komisionit kanë qenë dukshëm të qarta. Kjo ka ndodhur, siç e thashë, pikërisht për shkak se SHBA-ja në Kosovë, gjatë mandatit të Qeverisë Kurti II, nuk ka treguar ndonjë interesim për mbështetje më aktive në çështjet e sundimit të ligjit, duke i lënë aktorët vendorë ta bëjnë punën e tyre ashtu siç dinë. Kjo përvojë dihet se si ka përfunduar, gjykuar sipas vlerësimeve ndërkombëtare që janë bërë në Kosovë gjatë këtyre viteve për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.

    SHBA-ja kishte rol “në zbatimin e rekomandimeve nga Bosnja”

    Radio Evropa e Lirë: Komisioni i Venecias ka një rol këshillimor në çështjet gjyqësore dhe të sundimit të ligjit në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë opinionet e fundit mbi kriminalizimin e shpifjes në Republikën Sërpska dhe shqetësimet lidhur me Prokurorinë. A mendoni se një tërheqje e SHBA-së mund ta dëmtojë autoritetin ose ndikimin e Komisionit të Venecias në një shtet kaq thellësisht kompleks?

    Enver Hasani: Roli i SHBA-së në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias është edhe më i dukshëm në Bosnje dhe Hercegovinë, edhe për faktin se SHBA-ja është garantuesja kryesore e ekzistencës fizike të Bosnje dhe Hercegovinës. Bërja shtet normal e këtij vendi as që mund të paramendohet pa vëmendjen e përhershme të SHBA-së, pavarësisht rolit dhe peshës së madhe që ka Bashkimi Evropian. Mendimet dhe rekomandimet e Komisionit nuk kanë fuqi detyruese juridike. Ato kanë pasur ndikim të madh për shkak të ekspertizës së jashtëzakonshme të Komisionit dhe trupave të tij, si dhe ndikimit politik të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në vendet anëtare të Komisionit.

    Meqë rekomandimet e Komisionit të Venecias kanë të bëjnë me çështjet fondamentale kushtetuese, SHBA-ja ruan ndikimin e saj përmes strukturave të tjera të sigurisë, siç është NATO-ja, duke marrë parasysh faktin se anëtarësimi në këtë strukturë bazohet edhe në zbatimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Dihet se të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Serbisë, kanë një entuziazëm të madh për anëtarësim në NATO. Mirëpo, ndikimi amerikan këtu, në raport me vendimet e Komisionit, mund të ushtrohet vetëm në rastet kur administrata e SHBA-së e gjen të dobishme për interesat e saj strategjike, siç janë definuar së fundi nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump. Në këtë strategji të re nacionale, hemisfera perëndimore ka marrë një prioritet të madh.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë tërheqja e SHBA-së nga Komisioni i Venecias për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor?

    Enver Hasani: Kjo do të thotë shumë, për faktin se Bashkimi Evropian ka ndikim të kufizuar, meqë lidhet vetëm me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa ndikimi amerikan në vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë dhe vazhdon të jetë i përgjithshëm dhe përfshin të gjitha çështjet, jo vetëm sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.

    Largimi amerikan nga Komisioni i Venecias do t’i inkurajojë politikanët populistë në rajon të dalin jashtë standardeve të sundimit të ligjit dhe të qeverisjes së mirë, të skicuara në kornizën juridiko-kushtetuese të Komisionit të Venecias. Jo rrallë, kur ka pasur ngecje në implementimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ndihma amerikane ka qenë e kërkuar, veçanërisht kur ato kanë pasur të bëjnë me çështje sensitive politike që kanë prekur sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të Ballkanit. Kjo tani nuk mund të merret si e mirëqenë./REL

    “Mashkull pervers, zhigolo”/ Babai i Selinës reagon ashpër ndaj Mirit: Ai për lekë mund të bëjë…

    ballkan komisioni i venecias Tërheqja e SHBA
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Qytetarët sërish protestë në Tiranë kundër resortit në Zvërnec

    June 6, 2026

    “Zvërneci”/ Protesta dhe në Shkodër, qytetarët me pankarta në duar nisin marshimin drejt bashkisë

    June 6, 2026

    “Zvërneci”/ Protestë kundër ndërtimit të resortit edhe në SHBA, shqiptarët mblidhen para ambasadës

    June 6, 2026

    FOTOLAJM/ ‘Mbroni natyrën’, por protestuesit sot në Zvërnec parkuan makinat mbi duna fare pranë plazhit

    June 6, 2026
    Mos e humb
    Fokus May 11, 2026

    Starton të hënën “Pjaca në Radar” me Alfred Pezën

    TIRANË- Një podcast i ri i dedikuar tregut të pasurive të paluajtshme, arkitekturës, arredimit dhe…

    Spiropali, ose çmimi i një diagnoze me vonesë

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Parashikimi i horoskopit 3 Qershor, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 29 Maj, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit për sot, 28 Maj 2026

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.