Aksi rrugor Qafë Thore-Theth është zhbllokuar dhe tashmë është i hapur për qarkullim, pas bllokimit të shkaktuar nga reshjet e dendura të dëborës.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bëri të ditur se zhbllokimi u realizua pas një pune intensive në terren, duke garantuar kushte të sigurta për drejtuesit e mjeteve. Sipas tij, qarkullimi po vijon normalisht, ndërsa strukturat përgjegjëse do të qëndrojnë në monitorim të vazhdueshëm në varësi të kushteve atmosferike.
Beci u bëri thirrje qytetarëve që të lëvizin me kujdes dhe të respektojnë rregullat e sigurisë rrugore.
Gjithashtu, ai njoftoi se ditën e nesërme do të nisë ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir–Shosh, e cila është bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së inerteshve në zonën e njohur si “Gështenja e Thaçit”, në Njësinë Administrative Pult.
Sipas Bashkisë, grupet e ndërhyrjes janë organizuar dhe do të punojnë në terren për rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit. Deri në përfundimin e punimeve, qytetarëve u rekomandohet të shmangin lëvizjet në këtë aks dhe të tregojnë kujdes maksimal.
“Situata po ndiqet nga afër dhe do të ketë njoftime të mëtejshme për çdo zhvillim”, deklaroi Beci.


