Udhëheqësi i Hamasit, Khaled Mashaal, ka deklaruar se organizata nuk do të heqë dorë nga armët dhe as nuk do të pranojë ndërhyrje apo qeverisje të huaj në Rripin e Gazës, duke refuzuar hapur kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Duke folur në një konferencë në Doha, Mashaal theksoi se Hamasi nuk e pranon kriminalizimin e rezistencës dhe të armatimit të saj. “Kriminalizimi i rezistencës, i armëve të saj dhe i atyre që e kryen atë është diçka që nuk mund ta pranojmë”, u shpreh ai.
Mashaal i bëri thirrje gjithashtu Bordit të Paqes të miratojë një “qasje të ekuilibruar” që të mundësojë rindërtimin e Gazës dhe lejimin e ndihmave humanitare, duke paralajmëruar se Hamasi “nuk do të pranojë sundimin e huaj”.


