I dërguari i posaçëm i ish-presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas protestës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbajtur sot në Tiranë.
Në një postim në platformën X (Twitter), Grenell ka shpërndarë pamje nga protesta dhe ka sulmuar Gjykatën Speciale të Hagës, duke e cilësuar atë “jashtë kontrollit”.
“Haga është jashtë kontrollit. Kjo është ajo që ka bërë Jack Smith,” – shkruan Grenell, duke iu referuar prokurorit special amerikan, i cili më herët ka qenë pjesë e strukturës hetimore të Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë.

Në një tjetër postim, Grenell ka theksuar shkurtimisht “Edhe në Tiranë”, duke nënkuptuar se protesta e sotme është pjesë e valës së demonstratave që janë mbajtur ditët e fundit edhe në Prishtinë dhe Hagë, në mbështetje të katër ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen për krime lufte.


