Drejtoria Doganore e Kakavijës ka njoftuar se ditën e hënë, më 27 korrik 2026, do të ketë ndërprerje të përkohshme të lëvizjes në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, për shkak të grevës së punonjësve të palës greke.
Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi i shërbimeve do të zgjasë nga ora 07:00 deri në orën 11:00, sipas orës shqiptare. Gjatë kësaj periudhe do të ndërpritet procesimi doganor dhe kalimi i automjeteve në hyrje dhe dalje nga pika kufitare.
Autoritetet doganore bëjnë me dije se gjatë kohëzgjatjes së grevës nuk do të ofrohen shërbime për përpunimin e lëvizjeve kufitare, ndaj qytetarëve dhe bizneseve u kërkohet të marrin masa për të shmangur vonesat.
Dogana Shqiptare u ka bërë thirrje të gjithë udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë që planifikojnë të lëvizin drejt Greqisë të shmangin përdorimin e Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë gjatë intervalit 07:00–11:00 të së hënës.
Pas përfundimit të grevës, shërbimet në pikën kufitare pritet të rikthehen në funksion normal.


