Greqia do të lëshojë mikrosatelitët e saj të parë në fund të vitit 2025 si pjesë e një strategjie kombëtare për përmirësimin e qeverisjes digjitale dhe monitorimin e një sërë procesesh në territorin e saj.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Qeverisjes Digjitale, Dimitris Papastergiou, gjatë Forumit Innovent në Larisa, ku theksoi se mikrosatelitët do të ofrojnë të dhëna të sakta për fatkeqësitë natyrore, bujqësinë, cilësinë e ujit, planifikimin urban dhe përdorimin e tokës.
Megjithatë, kjo nismë ngre pikëpyetje mbi ndikimin e saj në sigurinë rajonale, veçanërisht për Shqipërinë, e cila së fundmi ka shpallur një plan për riaktivizimin e industrisë ushtarake. A mund të përdoren këto mikrosatelitë për monitorimin e infrastrukturës strategjike, përfshirë bazat ushtarake shqiptare?
Ky investim konsiderohet një hap i madh për modernizimin e infrastrukturës digjitale të Greqisë, ndërsa vendi synon ta përdorë këtë teknologji edhe për të adresuar sfida globale, si ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmëria mjedisore.
Gjithashtu, Papastergiou foli për rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve shtetërore, duke përmendur përmirësimet në kadastrën kombëtare dhe reduktimin e burokracisë përmes teknologjisë. / Radar.al


