Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku” nga Policia e Shtetit në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, ku u godit një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqi.
Falë kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe bazuar në informacionet policore si dhe analizën e riskut, u bë i mundur zbulimi i një sasie të konsiderueshme kanabisi të fshehur në një kamion në dalje të territorit shqiptar.
Gjatë kontrollit të detajuar me skaner dhe më pas në vijën e dytë, shërbimet e Policisë dhe Doganës konstatuan se në dyshemenë e kamionit ishte krijuar një hapësirë e posaçme, ku ishin fshehur rreth 166 pako me lëndë narkotike të dyshuar kanabis, me peshë totale rreth 350 kilogramë.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë drejtuesin e mjetit, shtetasin E. Q., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 350 kilogramë Cannabis Sativa dhe kamioni ku ishte fshehur lënda narkotike.
Nën drejtimin e Prokuroria Gjirokastër, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.


