Policia katalanase ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar shqiptar në Spanjë, duke goditur katër organizata kriminale që vepronin në rajonet e Barcelonës, Gironës dhe Tarragonës. Në orët e para të mëngjesit të së martës, mbi 400 efektivë morën pjesë në bastisje të njëkohshme në dhjetëra lokalitete, ku u arrestuan rreth 50 persona, shumica shtetas shqiptarë.
Operacioni, i udhëhequr nga Divizioni i Hetimeve Penale i Barcelonës dhe Gironës në bashkëpunim me Agjencinë Tatimore dhe Gardën Civile, çoi në sekuestrimin e sasive të mëdha droge, armëve të zjarrit dhe parave të gatshme. Bastisjet u kryen në vila, apartamente dhe depo të përdorura si plantacione kanabisi apo magazina droge.
Mes të arrestuarve ishin kryesisht persona që kishin rol “kopshtarësh”, pra të angazhuar në mirëmbajtjen e plantacioneve. Ata ishin rekrutuar në Shqipëri dhe ishin dërguar në Spanjë për të punuar në mënyrë të paligjshme në kultivimin e kanabisit.
Në Barcelonë, bastisjet sollën shkatërrimin e një plantacioni dhe konfiskimin e marijuanës, hashashit, heroinës, 19,000 eurove cash dhe katër armëve të zjarrit me municion. Në Girona, hetimet çuan në shkatërrimin e dhjetë plantacioneve dhe arrestimin e 17 personave. U sekuestruan kokainë, 53,000 euro dhe armë të tjera zjarri.
Autoritetet spanjolle theksojnë se edhe pse grupet kriminale nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë, ato ndanin metoda të ngjashme funksionimi dhe rrjete të përbashkëta furnizimi, duke përbërë një kërcënim serioz për sigurinë në rajon. Operacioni përbën një ndër goditjet më të mëdha kundër mafias shqiptare në Katalonjë dhe konsiderohet një sukses i rëndësishëm në luftën kundër narkotrafikut në Europë.


