TIRANË– Ditën e sotme seanca e procesit gjyqësor “Plumbi i Artë” është shoqëruar me tensione.
Avokatja e Altin Ndocit, Elda Zotaj ka braktisur seancën pasi kërkoi përjashtimin e kryesueses së trupit gjykues, Engjëllushe Tahiraj.
Zotaj akuzoi Tahirajn se merr vendime pa u konsultuar me anëtarët e tjerë të trupës dhe merr parasysh vetëm kërkesat e organit të akuzës. Si pasojë u vendos ndërprerja e seancës gjyqësore.
Sa i takon kësaj prokurori i SPAK, Behar Dibra, kërkoi që avokatja Zotaj të zëvendësohet, pasi sipas tij kërkesat e saj janë të pabazuara dhe po shkaktojnë ndërprerje të përsëritura të seancave.
“Duhet të merret një vendim për të zëvendësuar avokaten, qoftë kryesisht. Kjo është bërë shkak për ndërprerjen e seancës për herë të disatë.”-u shpreh ai.
Prokurorja Doloreza Musabelli e cilësoi gjithashtu kërkesën e Zotajt si të pabazuar ligjërisht dhe kërkoi që të caktohet masa maksimale ndaj avokates, si dhe që Dhoma e Avokatëve të njoftohet për rastin. Ajo kërkoi gjithashtu ndërprerjen e seancave për shkak të mungesës së mbrojtjes ligjore për të pandehurin Altin Ndoci. Në përfundim, Gjykata e Posaçme vendosi zëvendësimin e avokates Elda Zotaj me avokaten Pranvera Doci./Radar.al


