Ambasadori i Bashkimi Europian në Republika e Maqedonisë së Veriut, Mikalis Rocas, dhe ambasadori i Italisë, Paolo Palminteri, kanë dalë hapur në mbështetje të studentëve shqiptarë që kërkojnë të zhvillojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Qëndrimi i tyre u bë publik nga organizatori i protestës, studenti Mevlan Ademi, i cili ndau reagimet e diplomatëve pas protestës së zhvilluar përpara Ministrisë së Drejtësisë në Shkup.
Në mesazhet e tyre, ambasadorët theksuan rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore dhe ndërkombëtare.
“Respektimi i plotë i kornizës ligjore në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Rocas.
Ndërsa Palminteri nënvizoi se “kërkesa e studentëve për ta zhvilluar provimin profesional në të njëjtën gjuhë në të cilën kanë ndjekur studimet është plotësisht legjitime”.
Studentët shqiptarë dolën në protestë me thirrjen e fortë “Gjuha shqipe nuk negociohet”, duke kërkuar zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u garanton atyre të drejtën për shërbime në gjuhën amtare, përfshirë edhe provimin e jurisprudencës.
Protesta u drejtua edhe kundër ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, ndërsa studentët kërkuan gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, për shkak të mosreflektimit ndaj kërkesave të tyre.
Kjo është hera e dytë që studentët paraqesin këtë kërkesë, e cila deri më tani është refuzuar nga institucionet me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën. Nga ana tjetër, studentët dhe mbështetësit e tyre argumentojnë se ligji për gjuhët e njeh shqipen si gjuhë zyrtare në rastet kur komuniteti shqiptar përbën mbi 20% të popullsisë, duke e bërë kërkesën e tyre të bazuar në ligj dhe standarde demokratike.
Në mbështetje të tyre kanë dalë edhe përfaqësues të opozitës shqiptare në vend, duke e kthyer këtë çështje në një debat më të gjerë politik dhe institucional mbi të drejtat gjuhësore dhe barazinë në arsim dhe drejtësi.


