TIRANË- Mbrëmjen e së hënës, u zhvillua ceremonia e “Topit të Artë 2025”, aty ku kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti u zgjodh “Lojtari i Vitit i Kombëtares”.
Kapiteni u ngjit në skenë për të marrë çmimin dhe falënderoi të gjithë protagonistët që e kanë ndihmuar që të arrijë atë çmim, ndërkohë që pas ceremonisë foli para mediave ku u ndal edhe te Kombëtarja dhe ndeshjet e “Play Off” në mars. Gjimshiti e mori këtë çmim nga votat e bashkëlojtarëve të tij, të cilët zgjodhën pikërisht kapitenin si më të mirin e vitit.
ÇMIMI- “Së pari ju përgëzoj për organizmin dhe faleminderit. Besoj se vitin e kaluar, mami im bëri një figurë më të mirë se imja. Falënderoj çunat e Kombëtares sepse pa ata nuk vlen asgjë. Futbolli është kolektiv dhe i falënderoj ata, stafin dhe presidentin Duka. Falënderoj edhe kryeministrin dhe më të rëndësishmit, familjen time për sakrificat që kanë bërë. Jam shumë i lumtur që jam sot këtu dhe që e fitoj këtë çmim. Është krenari, por sërish e them që futbolli është një lojë kolektive dhe e ndaj me të gjithë bashkë lojtarët e mi. Sigurisht që është edhe fitore e atyre”.
PLAY OFF- “Rivalët sigurisht që kanë më shumë eksperiencë, kanë shkuar shumë shpesh në Botëror, por prapë besoj se shanset tona janë 50 me 50. Pse jo, të ëndërrojmë. Të jenë të gjithë çunat gati në mars dhe të shkruajmë historinë e futbollit shqiptar”.
PREMTIM- “Si të gjithë, do të japim maksimumin dhe shpirtin në fushë. Të gjithë së bashku do ta arrijmë qëllimin që kemi”.


