Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv për të rikthyer “Testin Presidencial të Formës Fizike” në shkollat publike të SHBA-së, një praktikë e nisur në vitin 1966 dhe e hequr gradualisht gjatë administratës Obama.
Testi, që përfshin vrapim një milje, ushtrime për muskujt abdominalë dhe testime të fleksibilitetit, do të aplikohet për nxënësit e arsimit parauniversitar. Trump e quajti këtë iniciativë “një traditë të mrekullueshme” dhe theksoi: “Po e rikthejmë atë. Është një pjesë e rëndësishme e historisë sonë.”
Urdhri parashikon gjithashtu riaktivizimin e Këshillit Presidencial për Sportin, Formën Fizike dhe Ushqyerjen, me deri në 30 anëtarë, mes të cilëve sportistë profesionistë dhe figura publike. Ministri i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., do të drejtojë strukturën që do të merret edhe me çështje si lëvizshmëria e sportistëve ndëruniversitarë dhe krijimin e “Çmimit Presidencial të Formës Fizike”.
Trump tha se ky hap lidhet edhe me përgatitjet për evente madhore që do të mbahen në SHBA, përfshirë Ryder Cup 2025, Kupën e Botës 2026 dhe Lojërat Olimpike 2028.
Ndërkohë, ekspertët kanë shprehur reagime të përziera. Prof. Laura Richardson, specialiste në kinesiologji, e quajti “një hap pozitiv”, por paralajmëroi se testi nuk duhet të shndërrohet në një notë dënimi, por në pikënisje për ndërtimin e zakoneve të shëndetshme.
Ceremonia e prezantimit mori vëmendje edhe për shkak të pjesëmarrjes së ish-yllit të NFL-së, Laërence Taylor, i dënuar më parë për ngacmim të një të miture. Vetë Taylor u shpreh: “Nuk e di saktësisht çfarë duhet të bëj, por jam këtu për të shërbyer.”


