Sidney Brown, producenti muzikor që ka punuar me artistë si Drake, Lil Wayne dhe Beyoncé, është gjetur i vdekur në apartamentin e tij në East Harlem. Ai ishte 49 vjeç dhe njihej në industrinë e muzikës me emrin skenik “Omen”.
Sipas PageSix, një anëtar i familjes e gjeti Brown pa ndjenja në shtëpi. Konfirmimi i vdekjes erdhi nga nëna e tij, Martha Brown, e cila tha për TMZ se vdekja ndodhi më 13 shtator.
“Shkaku dhe mënyra e vdekjes janë nën hetim”, deklaroi zyra e mjekut ligjor të qytetit.
Familjarët u alarmuan pasi producenti nuk u paraqit për setin e tij të planifikuar si DJ në Barawine Harlem, ku kishte punuar për më shumë se një dekadë.
Motra e tij, Nicole Iris Brown, tha për NBC News: “Ai ishte i shëndetshëm. Ne nuk e dinim që ishte i sëmurë, kështu që e gjithë kjo ndodhi papritur.”
Ngjarja ka tronditur komunitetin muzikor, ndërsa hetimet për shkaqet e vdekjes janë ende në zhvillim.


