Ideja për krijimin e një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi, e përkrahur nga Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij në OKB, vazhdon të ngjallë interes të madh në mediat ndërkombëtare.
Sipas një artikulli të publikuar nga “The Jerusalem Post,” ku është intervistuar Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, theksi vendoset në rëndësinë e avancimit të kësaj nisme. Në shkrimin me titull “Vëllezër të popullit të Izraelit,” Baba Mondi thekson se synimi është që komuniteti bektashi të njihet ndërkombëtarisht si “Qendra Botërore e Bektashinjve”.
“Shteti shqiptar ka kompetencën për miratimin e një ligji për këtë çështje. Pas miratimit, do t’i drejtohemi komunitetit ndërkombëtar për njohje, duke kërkuar një status diplomatik global për Qendrën Botërore të Bektashinjve. Të gjitha qendrat tona në mbarë botën do të jenë pjesë e kësaj qendre. Jemi duke hartuar strategji për zbatimin e këtij plani, por hapi i parë është miratimi i ligjit nga qeveria shqiptare,” ka deklaruar Baba Mondi.
“The Jerusalem Post” gjithashtu vë në dukje se Baba Mondi ka vizituar disa herë Izraelin dhe shpreson të rikthehet së shpejti. Ai e konsideron veten si një vëlla të popullit të Izraelit, duke theksuar lidhjet shpirtërore të komunitetit bektashi me vendet dhe njerëzit e këtij shteti. “Komuniteti bektashi, i bazuar në Islam, i do njerëzit pa dallim kombësie, besimi, ngjyre apo bindjesh politike,” ka theksuar ai.
Baba Mondi e përmbylli intervistën me një citim nga Kurani: “Ata që njohin veten e tyre, kanë njohur Zotin,” duke theksuar se shumë njerëz sot nuk e njohin veten.


