Për herë të parë në Shqipëri do të zbatohet programi Garancia Rinore, që synon të ofrojë një mundësi konkrete për punësim ose arsim profesional për çdo të ri që nuk është në punë, shkollim apo trajnim, brenda 4 muajve nga regjistrimi.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili tha se programi është një iniciativë kombëtare e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe buxheti i shtetit.
“Ky është një hap konkret për të ndihmuar të rinjtë që të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt. Programi prej 63.5 milionë euro synon të përfshijë 60,000 të rinj, duke ofruar punësim, formim profesional dhe mbështetje për arsimim”, theksoi ministri Gonxhja.
Programi do të zbatohet pas miratimit në Kuvend dhe pritet të jetë një nga ndërhyrjet më domethënëse për aktivizimin ekonomik të të rinjve në vend.


