Komiteti Ekzekutiv i Federata Shqiptare e Futbollit ka miratuar ndryshime të rëndësishme në formatin e kampionatit “Abissnet Superiore”, duke i dhënë fund sistemit “Final Four” dhe duke vendosur një strukturë të re gare që do të hyjë në fuqi nga sezoni 2026/2027.
Vendimi u mor në mbledhjen e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e futbollit shqiptar.
Sipas formatit të ri, kampionati nuk do të zhvillohet më me katër faza dhe “Final Four”, por me tre faza të rregullta, që përfshijnë gjithsej 27 javë. Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes: play-off dhe play-out.
Gjashtë skuadrat e para do të kualifikohen në fazën play-off, ku do të luajnë me sistem vajtje-ardhje për 10 javë. Pikët e grumbulluara gjatë sezonit të rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së kësaj faze. Ekipi që do të kryesojë renditjen në fund të play-off-it do të shpallet kampion i Shqipërisë.
Ndërkohë, katër skuadrat e fundit do të luajnë në fazën play-out për mbijetesën. Ekipi i renditur i fundit do të bjerë automatikisht nga kategoria, ndërsa sistemi i ngjitjes dhe rënies do të përfshijë edhe ndeshje shtesë mes skuadrave të Kategorisë së Parë dhe Superiores.
Një tjetër ndryshim madhor është zgjerimi i kampionatit nga 10 në 12 skuadra, duke filluar nga sezoni 2027/2028. Në këtë format të ri, ekipet do të zhvillojnë fillimisht 22 javë në dy faza të rregullta, përpara se të ndahen sërish në grupet play-off dhe play-out.
Gjashtë skuadrat e para do të luftojnë për titullin kampion, ndërsa gjashtë të tjerat për mbijetesën. Dy ekipet e fundit do të bien automatikisht në Kategorinë e Parë, ndërsa skuadra e renditur e treta nga fundi do të luajë një ndeshje play-off për qëndrimin në elitë.
Sipas FSHF-së, ndryshimet synojnë rritjen e konkurrueshmërisë së kampionatit, ruajtjen e interesit sportiv gjatë gjithë sezonit dhe përmirësimin e nivelit të skuadrave shqiptare në arenën europiane.
Me këtë vendim, futbolli shqiptar hyn në një fazë të re organizimi, ku modeli i “Final Four” i përdorur në sezonet e fundit do t’i lërë vendin një sistemi më të ngjashëm me kampionatet europiane që përdorin fazat play-off dhe play-out për përcaktimin e titullit dhe mbijetesës.


