Një episod i pazakontë ka shoqëruar Kupën e Botës 2026, ku delegacioni i Egjiptit është detyruar të ndryshojë planet e tij të udhëtimit për shkak të vendimeve të autoriteteve amerikane të sigurisë.
Pas fitores ndaj Zelandës së Re, skuadra egjiptiane kishte planifikuar të qëndronte në Seattle për të shmangur udhëtime të panevojshme përpara ndeshjes së radhës. Megjithatë, kërkesa e tyre është refuzuar për arsye sigurie.
Sipas trajnerit Hossam Hassan, autoritetet nuk lejuan që skuadra të qëndronte në qytetin pritës dhe e detyruan delegacionin të kthehej në bazën e tyre në Spokane, rreth 450 kilometra larg.
“Autoritetet e sigurisë refuzuan kërkesën tonë për të qëndruar në Seattle pas ndeshjes me Zelandën e Re. Ne donim të shmangnim lodhjen e udhëtimeve për shkak të spostimeve të shumta, por vendimi ishte për arsye sigurie,” u shpreh Hassan.
Skuadra kishte planifikuar të zhvendosej direkt në Seattle për të përgatitur më mirë ndeshjen e ardhshme ndaj Iranit, por vendimi i autoriteteve ndryshoi plotësisht itinerarin e saj.
Ky zhvillim ka shtuar diskutimet rreth organizimit logjistik të turneut dhe ndikimit që masat e sigurisë mund të kenë në përgatitjet e ekipeve kombëtare gjatë kompeticionit më të madh të futbollit në botë.


