Tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania është një çështje e vogël. Një çështje shumë më e madhe është se Trump, ka anuluar vendosjen e planifikuar të raketave Tomahawk. Sinjale të gabuara për Putinin?
Ndër vendimet e fundit ushtarake-strategjike të marra nga qeveria amerikane nën Presidentin Donald Trump, përveç tërheqjes së rreth 5,000 trupave, është edhe anulimi i përkohshëm i vendosjes së planifikuar të raketave amerikane me rreze të mesme veprimi në Gjermani. Këtë e ka konfirmuar së fundi edhe vetë Kancelari Friedrich Merz në një intervistë për televizionin ARD. ]
Kjo ka të bëjë me raketat Tomahawk me një rreze veprimi që shtrihet deri në Rusi. Ekspertët gjermanë besojnë se ky është një problem më i madh sesa tërheqja rreth 5000 trupave, e cila, sipas Pentagonit, duhet të ndodhë në gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm.
Ka “raketa ruse nga Kaliningradi që na kërcënojnë”, thotë Nico Lange, një ekspert i politikave të sigurisë, dhe kujton se Gjermania nuk ka raketa që mund të përbëjnë një “kundërkërcënim”.
Marrëveshja Biden – Scholz
“Ne donim t’i merrnim ato nga Amerika, por tani nuk po i marrim”, shpjegon ai. Evropianët duhet “ta arrijnë shpejt këtë aftësi, sepse është thelbësore për sigurinë tonë”, paralajmëron eksperti gjerman në një deklaratë për programin e parë të shërbimit publik ARD.
Vendosja e raketave lundruese Tomahawk me një rreze veprimi deri në 2,500 kilometra u ra dakord në vitin 2024, nën Presidentin e SHBA-së Joe Biden dhe Kancelarin Olaf Scholz. Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius shpjegoi në atë kohë se qëllimi ishte të krijohej një mundësi veprimi derisa Evropa të mund të prodhonte sistemet e veta.
Vendosja e Tomahawk fillimisht ishte planifikuar të fillonte në vitin 2026. Megjithatë, Reuters citoi së fundmi një zyrtar të lartë të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së të thoshte se batalioni për vendosjen e Tomahawk nuk do të dërgohej në Gjermani.
“Lajm shumë më dramatik”
Eksperti i sigurisë Christian Mölling e sheh këtë si një problem të madh dhe thotë se është “në fakt lajm shumë më dramatik”. Sisteme të tilla janë një element qendror i parandalimit, “sepse këto janë raketa të afta të godasin Rusinë jo vetëm kur ajo ka arritur tashmë kufijtë e NATO-s, por edhe shumë më larg – dhe të çaktivizojnë qendrat e saj të komandës”, shpjegon Mölling për ZDF.
Gjermania aktualisht nuk ka armë me rreze kaq të gjata veprimi, as aftësitë e nevojshme të zbulimit. Pasoja është paradoksale: mungesa e këtij batalioni raketash dobëson aftësinë parandaluese të NATO-s.
“Kjo krijon një boshllëk të konsiderueshëm aftësish në aspektin e pengimit të Rusisë, i cili mund të mbyllet vetëm më vonë me armë evropiane”, tha Carlo Masala i Universitetit Bundeswehr në Mynih për numrin e së dielës të gazetës Welt.


