Një fotografi e vitit 2015, ku Jeffrey Epstein shihet në një darkë private në shoqëri të disa prej figurave më të njohura të teknologjisë, përfshirë Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, ka dalë në dritë pas publikimit të dokumenteve të reja nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Sipas dokumenteve, më 2 gusht 2015 Epstein i shkroi mikut të tij Peter Attia se do të darkonte atë mbrëmje me Musk, Zuckerberg dhe Peter Thiel. Një ditë më pas, ai i dërgoi vetes një fotografi nga takimi, ku shfaqen Musk, Zuckerberg, bashkëshortja e këtij të fundit Priscilla Chan dhe persona të tjerë rreth një tavoline.
Darka ishte raportuar për herë të parë nga Vanity Fair në vitin 2019. Ajo u organizua në Palo Alto nga themeluesi i LinkedIn, Reid Hoffman, në nder të neuroshkencëtarit të MIT, Ed Boyden. Sipas raportimit, Epstein u prezantua me Zuckerberg gjatë këtij takimi.

Interesi për këtë episod është rihapur pas publikimit të dokumenteve të Epstein më 30 janar, të cilat kanë nxjerrë në pah lidhje të mundshme mes tij dhe figurave të njohura të teknologjisë. Në një email të dërguar më 20 gusht 2015, Epstein e përshkroi darkën si “të egër”.
Megjithatë, pjesëmarrësit kanë tentuar të minimizojnë rëndësinë e takimit. Reid Hoffman shprehu pendesë për çdo kontakt me Epstein pas dënimit të tij, duke deklaruar se mbështet publikimin e plotë të dokumenteve dhe kërkimin e drejtësisë për viktimat.
Edhe përfaqësues të Mark Zuckerberg kanë theksuar se ai e ka takuar Epstein vetëm një herë, rastësisht, dhe se nuk ka pasur asnjë komunikim të mëvonshëm me të. Elon Musk, nga ana e tij, ka mohuar çdo marrëdhënie të afërt me Epstein dhe ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë kurrë në festa të organizuara prej tij.
Megjithatë, dokumentet e publikuara tregojnë se Musk i kishte dërguar email Epstein-it në vitin 2012, duke pyetur për plane festash në Karaibe. Publikimi i këtyre email-eve ka shkaktuar përplasje publike mes Musk dhe Hoffman në rrjetet sociale.
Jeffrey Epstein ishte dënuar në vitin 2008 për shfrytëzim seksual të një të miture dhe vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa hetimet mbi rrjetin e tij të lidhjeve vazhdojnë të ngjallin debat dhe reagime të forta.


