Policia e Shtetit ka zhvilluar një takim pune në Krujë, pas inaugurimit të komisariatit të ri, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.
Drejtori i Përgjithshëm, Skender Hita, u kërkoi drejtuesve dhe efektivëve të fokusohen në punë profesionale për sigurimin e informacionit, me synim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe identifikimin e financuesve dhe trafikantëve të kanabisit.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kapjes së personave në kërkim, duke përmendur raste konkrete të individëve që ende nuk janë arrestuar pavarësisht kontrolleve të vazhdueshme.
Në fokus të diskutimit ishin edhe lufta kundër armëmbajtjes pa leje, krimeve mjedisore dhe ndjekja me prioritet e çdo shqetësimi të qytetarëve.
Drejtori Hita kërkoi rritje të performancës nga efektivët, duke theksuar se kushtet e reja të punës duhet të reflektohen në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Në përfundim, ai u bëri thirrje strukturave të Policisë Rrugore që të zbatojnë me rigorozitet detyrat dhe të përdorin teknologjinë për evidentimin e shkeljeve në qarkullim.


