Federata Shqiptare e Futbollit është dënuar nga FIFA për sjellje diskriminuese të tifozëve gjatë ndeshjes ndaj Andorrës më 24 mars në “Arenën Kombëtare”.
Përveç një gjobe prej 20 mijë frangash zvicerane, FIFA ka urdhëruar mbylljen e 20% të stadiumit në ndeshjen e radhës, që do të jetë pikërisht përballja e ndjeshme ndaj Serbisë më 7 qershor, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Vendimi i FIFA-s parashikon që vendet e mbyllura në tribunat pas portave mund të mbushen vetëm me përfaqësues të komuniteteve ose organizata kundër diskriminimit, me miratimin paraprak të vetë FIFA-s. Për më tepër, FSHF është e detyruar të paraqesë një plan për luftën kundër diskriminimit brenda 6 muajve.



