Pas arrestimit të 46-vjeçarit Mikel Selimaj si autor i dyshuar i vrasjes së 41-vjeçarit shqiptar Altin Arapaj, policia greke ka vënë në pranga edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtin automjet me autorin dhe viktimën gjatë ngjarjes.
Viktima kishte telefonuar bashkëshorten para se të ndërronte jetë dhe i kishte treguar se kush e qëlloi në fytyrë me plumb.
Autori u kap në një apartament me qira në zonën Glyka Nera, ku pronarja kishte sinjalizuar policinë pas shqetësimit që ai nuk përgjigjej në derë. Gjatë arrestimit, autori ishte nën ndikimin e drogës.
Në makinën që përdori autori u gjetën gëzhoja dhe gjurmë gjaku, duke konfirmuar se viktima ishte qëlluar brenda automjetit. Një makinë tjetër u gjet gjithashtu, e përdorur për transport.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në Artemidë, ku viktima, autori dhe dy persona të tjerë u takuan, hipën në makinën e autorit dhe bënë një ndalesë të shkurtër në Rafinë. Atje, autori nxori armën dhe qëlloi Altin Arapajn në fytyrë. Viktima arriti të largohej, të telefononte gruan dhe të tregonte ngjarjen para se të ndërronte jetë.
Si viktima ashtu edhe autori ishin të njohur nga autoritetet lokale.


