Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ka publikuar udhëzimet zyrtare për votimin në Eurovision Song Contest 2025, i cili nis më 13 maj me gjysmëfinalen e parë dhe Shqipëria përfaqësohet nga Shkodra Elektronike.
Përmes një videoje informuese, RTSH ka treguar hap pas hapi se si mund të votohet me SMS gjatë netëve të festivalit. Sipas njoftimit, qytetarët që ndodhen brenda Shqipërisë do të mund të votojnë për këngët e preferuara përmes mesazheve të dërguara në numrin 54345, duke shkruar kodin e këngës, i cili shfaqet gjatë transmetimit live në RTSH.
⏱️ Votimi hapet për 15 minuta pas përfundimit të performancave dhe çdo person mund të votojë deri në 20 herë.
❗ Kujdes: Sipas rregullave të Eurovisionit, nuk lejohet votimi për këngën shqiptare nga territori i Shqipërisë. Megjithatë, diaspora shqiptare mund të votojë për përfaqësuesin e Shqipërisë nga jashtë vendit.
Shqipëria përfaqësohet këtë vit nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, që do të ngjitet në skenë më 13 maj në natën e parë gjysmëfinale.
Udhëzimet vlejnë vetëm për votimin me SMS dhe kanë për qëllim të orientojnë publikun drejt një pjesëmarrjeje të rregullt dhe të drejtë në këtë garë ndërkombëtare.


