Kursi i këmbimit të euros ndaj lekut ka shënuar një tjetër rënie të fortë, duke arritur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 95.19 lekë, duke iu afruar gjithnjë e më shumë kufirit psikologjik prej 95 lekësh.
Sipas agjentëve të tregut valutor, presioni në rënie mbi euron po vijon të ushqehet nga një ofertë e lartë valutore në treg, ndërsa kërkesa nuk po e ndjek të njëjtin ritëm, pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë.
Që nga fillimi i vitit 2026, euro ka humbur rreth 1.6% të vlerës ndaj lekut, ndërsa në bazë vjetore rënia arrin në 2.8%.
Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol aktiv në tregun valutor gjatë dy viteve të fundit, duke blerë mbi dy miliardë euro për të zbutur luhatjet dhe për të frenuar zhvlerësimin e monedhës europiane. Megjithatë, kjo ndërhyrje ka rezultuar vetëm pjesërisht efektive në ndalimin e trendit rënës.
Ekspertët vlerësojnë se rritja sezonale e ofertës valutore gjatë muajve të verës mund të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi euron. Në të njëjtën kohë, inflacioni në nivelin 3%, sipas të dhënave të INSTAT, e vendos Bankën Qendrore përballë një balance të vështirë mes stabilitetit të çmimeve dhe ndërhyrjeve në tregun valutor.
Një forcim i mëtejshëm i lekut mund të ndihmojë në kontrollin e inflacionit të importuar, por nga ana tjetër mund të ndikojë negativisht sektorët eksportues dhe turizmin, duke ulur të ardhurat në monedhën vendase dhe duke shtypur konkurrueshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare.


