Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka komentuar situatën në veri të Kosovës, duke theksuar rolin e forcave paqeruajtëse turke të KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Në një konferencë për shtyp pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Hagë, Erdogan u pyet nga një gazetar kosovar lidhur me zhvillimet në veriun e Kosovës. Ai u shpreh se prezenca e trupave turke në kuadër të KFOR-it është garanci për paqen dhe sigurinë.
“Siç e dini, KFOR-i turk është në rajon. Pse është në rajon? Për paqe, për qetësi. Dhe përderisa ne jemi atje, dhashtë Zoti të mos kemi probleme atje”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan theksoi se Turqia mbetet e përkushtuar ndaj paqes në Ballkanin Perëndimor dhe se prania e ushtarëve turq është në funksion të parandalimit të tensioneve në Kosovë.
Turqia është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të trupave në misionin e NATO-s në Kosovë dhe ka rritur rolin e saj në operacionet paqeruajtëse në rajon në vitet e fundit.


