Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të enjte në lumin Mat, ku peshkatari 68-vjeçar Dede Qoku humbi jetën tragjikisht. Pas disa orësh kërkimesh intensive, polumbarët e Njësisë Speciale RENEA bënë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupit të tij të pajetë nga uji.
Peshkatari ishte raportuar i zhdukur paraditen e sotme nga shoku i tij, me inicialet D. Q., rreth orës 13:40. Sipas të dhënave të para, viktima ishte futur në ujë në afërsi të Urës së Zogut për të hedhur rrjetat e peshkimit dhe nuk ishte rikthyer më në sipërfaqe.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj tragjedie.


