Emërimi i Mojtaba Khameneit si udhëheqës suprem i Iranit ka shkaktuar tronditje të menjëhershme në tregjet globale të energjisë dhe financave, duke rritur çmimet e naftës mbi 100 dollarë për fuçi, me kulmin përkohësisht në 119.5 dollarë, sipas raportimeve të Reuters.
Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, klerik shiit me mbështetje të fortë nga strukturat e sigurisë dhe rrjeti ekonomik i regjimit, u shpall pas vrasjes së babait të tij, Ali Khamenei, gjatë sulmeve të para të luftës. Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar zgjedhjen e tij të papranueshme dhe ka kërkuar dorëzimin pa kushte të Iranit.
Në qytete iraniane, fraksionet më të ashpra politike dolën në rrugë për të shprehur besnikëri ndaj liderit të ri, ndërsa institucionet politike dhe ushtarake deklaruan publikisht bindjen e tyre ndaj tij. Reagimet brenda shoqërisë mbeten të ndara: disa e shohin emërimin si sfidë ndaj armiqve, të tjerë si bllokim i çdo mundësie për ndryshim politik.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, është praktikisht e bllokuar. Arabia Saudite, së bashku me Irakun dhe Kuvajtin, ka reduktuar prodhimin e naftës në fusha të mëdha, duke çuar në rritjen e menjëhershme të çmimeve.
Tregjet financiare dhe frika e krizës
Bursat në Azi dhe Evropë ranë ndjeshëm, ndërsa investitorët shqetësohen se bankat qendrore mund të shtyjnë uljen e normave të interesit për shkak të presionit inflacionist nga kriza energjetike.
Në zhvillime të tjera, Turqia raportoi se mbrojtja ajrore e NATO-s rrëzoi një raketë balistike të lëshuar nga Irani, ndërsa Izraeli kreu sulme të reja në Iranin qendror dhe Bejrut pas goditjeve të Hezbollahut nga Libani. Sipas përfaqësuesit iranian në OKB, sulmet amerikano-izraelite kanë shkaktuar mbi 1,300 viktima civile në Iran, ndërsa në Izrael një person humbi jetën nga copëzat e raketave pranë aeroportit të Tel Avivit.


