Mario Çela, vëllai i personit të shpallur në kërkim Suel Çelës, ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit pas ekstradimit nga Belgjika, ku u arrestua në nëntor të vitit 2024.
Ai akuzohet për përfshirje në veprimtari të rënda kriminale, duke përfshirë vrasje, trafik droge dhe pastrim parash. Emri i tij është përmendur në disa hetime të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të goditjes së grupeve të strukturuara kriminale.
Mario Çela dyshohet të ketë qenë kreu i një grupi kriminal që operonte në Shqipëri dhe vende të Bashkimit Europian. Ai dyshohet gjithashtu për përfshirje në vrasjen e Bledar Muçës, i konsideruar si krahu i djathtë i Ardian Çapjas, i cili sipas hetimeve ishte vënë në shënjestër nga organizata e Suel Çelës.
SPAK njofton se disa anëtarë të grupit kishin role kyçe operative, duke u angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e lëndëve narkotike. Hetimet kanë dokumentuar tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kilogramëve kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës, duke përfshirë një rast në janar 2021, kur u tentua trafikimi i 466 kilogramëve kokainë nga Ekuadori në Holandë.


