Ndërsa Lionel Messi shkëlqen me Inter Miamin, ylli argjentinas mund të përballet së shpejti me gjykatën në Spanjë për vilën e tij në Ibiza, me vlerë rreth 11 milionë euro.
Autoritetet lokale kanë hapur një hetim për pjesë të ndërtuara në bodrum, garazh dhe ndërtesa ndihmëse, të paautorizuara sipas planeve zyrtare, duke çuar në refuzimin e certifikatës së banueshmërisë dhe nisjen e procedurave për shkelje të Kodit të Planifikimit Urban.
Familjarët e Messit pretendojnë se ndërtimet e kontestuara janë kryer nga pronari i mëparshëm para blerjes së vilës në vitin 2022 dhe se ylli argjentinas nuk ishte në dijeni të këtyre parregullsive.
Aktualisht Messi vazhdon të përdorë vilën, ndërsa autoritetet mund të kërkojnë shembjen e pjesëve të paautorizuara në rast se nuk rregullohen brenda afateve të caktuara.
Rasti vjen ndërkohë që Ibiza ka shtrënguar kontrollin mbi ndërtimet luksoze në zonat e mbrojtura, dhe vila e Messit ka qenë objekt i kritikave të aktivistëve mjedisorë që denoncuan degradimin e territorit.


