Karlo Ançeloti duket se është krejtësisht i humbur, duke marrë vendime të vështira për t’u shpjeguar, përralla e Mbapesë është kthyer në një makth dhe për t’i bërë gjërat edhe më keq, janë lëndimet që vazhdojnë të pengojnë ekipin. Humbja ndaj Bilbaos në “San Mames” ishte vetëm dëshmia më e fundit që “Los Blancos” po ecin shumë më poshtë se pritshmëritë e fillimia të sezonit.
Shifrat gjithashtu e bëjnë shumë të qartë se situate nuk është në proporcion me ambiciet e verës. Reali ka humbur katër nga shtatë ndeshjet e fundit që ka luajtur mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve, duke përfshirë disfata shumë të dhimbshme si ajo në “El Clasico”.
ECURIA E DOBËT – Duke veçuar ndeshjen kundër Dortmundit, djemtë e Ançelotit nuk kanë mundur të mposhtin asnjë ekip në nivelin më të lartë. Ata u barazuan kundër Atletikos së Madridit në derbi dhe humbën kundër Barçës, Milanit, Liverpulit dhe Bilbaos. Në ligë, përveç kësaj, Mbape me shokë kanë luajtur kundër gjashtë më të mirëve dhe kanë mundur vetëm Vijarrealin (2- 0). Deri më tani dhe jemi vetëm në dhjetor dhe madrilenët kanë humbur tashmë pesë ndeshje (të gjitha në 11 daljet e fundit). Kjo shifër përfaqëson një humbje më shumë se ato që ky ekip pati regjistruar në 73 ndeshjet e mëparshme, sipas “Opta”.
PROBLEME PA ZGJIDHJE – Gjërat nuk po shkojnë mirë ë dhe ndeshja kundër Bilbaos ishte një dëshmi e vërtetë. Goditja e parë e Realit, e cila as që shkoi në portë, ishte gjuajtja e Rydigerit në minutën e 44-të nga brenda zonës, me këmbën e majtë dhe pjesën e jashtme të këpucës. Është e vështirë të përkufizosh më mirë mungesën e ideve në sulm që po hasin djemtë e Ançelotit. Në “San Mames”, megjithatë, ranë në sy disa lojtarë. Dhe po flasim në kuptimin negative të termit. Mes tyre, Lukas Vazkez, i cili nuk ishte korrekt në vendimet e tij dhe Fran Garsia, për të cilin flasin qartë 17 topat e humbur në 70 minuta.
Ndërkohë, edhe ata që duhet të marrin ekipin për dore si Tçuamenit që mezi vertikalizoi dy herë dhe Valverde, që duhej të ishte pasardhësi i Toni Krosit, ishin gjithashtu ndër më të dobëtit ndaj Atletikos së Bilbaos. Kështu nuk shkohet larg. Sidomos kur më të dalluarit ishin Karlo Ançeloti dhe Kilië Mbape.
Nëse trajneri ka pak zgjedhje kur hedh sytë nga pankina, francezi mbetet një hije e lojtarit që mahniti në dy Botërorë. Ai nuk sfidon e aq më pak nuk driblon më rivalët. Si për ti përkeqësuar gjërat ka filluar të gabojë shumë përpara porte, madje edhe kur ka mundësi të mira siç janë ato nga pika e bardhë. 22 pozicione jashtë loje në 13 prezenca me Realin plotësojnë një tablo e cila dhjetë ditë para nisjes së botërorit të klubeve nuk i lejon “Los Blancos” të jenë fort optimistë për një triumf të radhës në nivel ndërkombëtar./PanoramaSport