Ilaria Sula, 22-vjeçarja shqiptare që u vra brutalisht në Itali, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas kërkesës së Prokurorisë së Romës për dënimin maksimal ndaj ish-të dashurit të saj, Mark Antony Samson.
I riu filipinas akuzohet për vrasjen me paramendim të studentes shqiptare, krim të cilin e ka pranuar edhe vetë gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet italiane. Sipas hetimeve, Samson e goditi fillimisht me grushte dhe më pas me thikë në apartamentin ku ndodhej në Romë, përpara se trupin ta fuste në një valixhe dhe ta hidhte në një zonë të pyllëzuar në Poli, jashtë kryeqytetit italian.
Gjatë seancës së akuzës, zëvendësprokurori Giuseppe Cascini e cilësoi ngjarjen si një vrasje të planifikuar dhe të kryer me gjakftohtësi.
Sipas prokurorisë, autori nuk tregoi pendesë as pas krimit. Hetimet zbuluan se ai vazhdoi të përdorte telefonin e viktimës edhe pas vdekjes së saj, duke iu përgjigjur mesazheve dhe duke postuar në rrjetet sociale për të shmangur dyshimet mbi zhdukjen e saj.
Ilaria Sula ishte studente e Statistikës në La Sapienza dhe ishte raportuar e zhdukur më 25 mars. Zhdukja e saj kishte shkaktuar reagime të shumta në Itali dhe Shqipëri, ndërsa familjarë, miq dhe studentë kishin nisur kërkime intensive në rrjetet sociale.
Ndaj Samson rëndojnë akuzat për vrasje me dashje dhe fshehje të kufomës, ndërsa autoritetet italiane kërkojnë dënimin më të rëndë të parashikuar nga ligji.


