Një dëshmi tronditëse nga një ish-i dënuar ka hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të 29 qershorit 2024, kur i burgosuri Edmond Piraniqi humbi jetën në ambientet e Burgut të Reçit. Sipas deklaratës së Pjerind Ndocit, i cili ndodhej në një qeli përballë, Piraniqi nuk u vetëvra, por u rrah barbarisht nga gjashtë gardianë, të cilët më pas, sipas tij, e kamufluan ngjarjen si vetëvrasje.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” publikoi dëshminë ekskluzive të Ndocit, i cili përshkroi me detaje momentet para dhe pas ngjarjes: “Pasi shau mjekun, u lajmërua grupi i gatshëm. Pesë gardianë hynë në qelinë e Mondit dhe e goditën pa pushim për 15-20 minuta. E tërhoqën zvarrë në korridor, në gjendje të rënduar, me kokën varur dhe më pas e futën në një dhomë tjetër izolimi, ku e qëlluan sërish.”
Ndoci shton se ai ka qenë dëshmitar okular i gjithçkaje dhe ka dhënë dëshmi para Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit, por nuk është thirrur ende nga Prokuroria për të dëshmuar zyrtarisht. “Mondi nuk kishte as forcën dhe as gjendjen për të kryer vetëvrasje. Ishte rrahur brutalisht dhe pastaj ata inskenuan një vetëvarje për të fshehur krimin,” deklaroi ai para kamerave.
Pas publikimit të dëshmisë në emision, Ndoci komunikoi edhe me të atin e viktimës, Lulzim Piraniqin, të cilit i përsëriti rrëfimin dhe u shpreh i gatshëm ta përforcojë atë në mënyrë ligjore. Lulzimi, që ndodhet në Francë, premtoi se do të vijë në Shqipëri për të ndjekur çështjen nga afër dhe për të kërkuar drejtësi për të birin.
Prokuroria e Shkodrës e ka çuar tashmë dosjen në gjykatë, duke marrë të pandehur 6 gardianët nën akuzën për “veprime arbitrare” dhe “shkaktim vetëvrasjeje”. Sipas dosjes hetimore, kamerat e sigurisë dokumentojnë dhunë kolektive ndaj të ndjerit, ndërsa detajet tregojnë se trupi i tij u gjet me këmbët në tokë – një detaj që ngrit dyshime serioze mbi versionin zyrtar të ngjarjes.
Dëshmia e Pjerind Ndocit mund të jetë thelbësore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik dhe ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe transparencën e institucioneve të vuajtjes së dënimit në Shqipëri.


