Një ngjarje tragjike në burgun e Reçit në Shkodër ka çuar në marrjen e masave ligjore kundër 6 gardianëve të akuzuar për dhunë që përfundoi me vdekjen e të burgosurit 44-vjeçar Edmond Piraniqi. Rasti u bë publik pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare” më 3 korrik 2024, ku babai i viktimës, Lulzim Piraniqi, shprehu dyshime të forta se djali i tij nuk kishte tentuar vetëvrasjen, siç pretendonte stafi i burgut, por ishte dhunuar rëndë nga gardianët.
Pas një viti hetimesh intensive, Prokuroria e Shkodrës konfirmoi se të pandehurit, gardianët Besmir Likaj, Elvis Bajrakurtaj, Fatmir Bushati, Indrit Duli, Senadi Bajrakurtaj dhe Fatjon Bajrakurti, akuzohen për kryerje të veprimeve arbitrare dhe shkaktim vetëvrasjeje, pasi u konstatua se ata kishin ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të burgosurit.
Ngjarja ka ndodhur më 29 qershor 2024, kur Piraniqi u gjet me shenja të rënda dhune dhe më pas u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Në raportet e burgut ishte përpiluar një “raport incidenti” ku pretendoheshin akuza për tentativë vetëvrasjeje, por dëshmitë e familjarëve dhe mjekëve përgënjeshtruan këto pretendime duke deklaruar se viktima kishte fraktura dhe plagë që tregojnë për dhunë brutale.
Prokuroria përfshiu në hetim edhe dëshmitë e zyrtarëve dhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në burg, ku shfaqen momentet kur gardianët futën me forcë Piraniqin në izolim, duke ushtruar dhunë dhe duke e goditur atë, madje disa prej tyre dukeshin duke qeshur gjatë ngjarjes së rëndë.
Fillimisht ndaj gardianëve u caktua masa sigurie detyrim paraqitje dhe pezullim detyre, por ky i fundit u hoq më pas dhe ata u rikthyen në shërbim, ndërsa familja e viktimës vijon të kërkojë drejtësi.
Babai i viktimës, Lulzimi, i cili jeton aktualisht në Francë, shpreh falënderimet për hetimet e nisura falë denoncimit të “Fiks Fare”, ndërsa premton se do të ndjekë çështjen deri në fund, duke mos përjashtuar edhe rrugën e ankesës në instancat ndërkombëtare, për të kërkuar dëmshpërblim dhe drejtësi për humbjen e djalit të tij.


