Përkeqësimi i motit në Korenë e Jugut së fundmi ka shkaktuar disa viktima e të plagosur.
Mediat e huaja bëjnë me dije se nga moti i keq ndërruan jetë afro pesë persona, si dhe u anuluan dhjetëra fluturime dhe u pezulluan shërbimet e trageteve.
Mëngjesin e sotëm Seul u zgjua nën petkun e trashë të dëborës e cila arrinte deri në 40 centimetra.
Për rrjedhojë sipas shërbimit meteorologjik të vendit, alarmi mbetet në fuqi për zona të tjera të Koresë së Jugut.
Katër nga pesë viktimat raportohet se humbën jetën nga shembja e çatisë, si pasojë e peshës së madhe të dëborës, ndërsa viktima e pestë erdhi si pasojë e një aksidenti rrugor për shkak të ngricave.
Sipas ministrisë së brendshme, gjithsej 156 fluturime u anuluan, 104 tragete ndërprenë lundrimin, ndërsa u raportua gjithashtu për vonesa të trenave.


