Një shtetas italian, 63 vjeç, me banim të përkohshëm në Tiranë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve. Ai kishte shkuar për mjekim në spital më 22 maj 2025, pasi nuk ishte ndjerë mirë pas operacionit të kryer më 20 maj.
Në njoftimin e Policisë së Tiranës thuhet se:
“Më datë 22.05.2025, ka shkuar për mjekim në spital shtetasi italian D. S., 63 vjeç, me banim të përkohshëm në Tiranë, pasi dyshohet se pas një ndërhyrje kirurgjikale më datë 20.05.2025, në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve nuk është ndier mirë. 63-vjeçari, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë kryer veprimet e para hetimore, ku i kanë marrë deklarim administratorit dhe dentistit të klinikës. Materialet u referuan në Prokurori, për vlerësim të mëtejshëm të rastit.”
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes.


