Një aksident tragjik është shënuar paraditen e sotme në një nga minierat private në Zonën D, ku ka humbur jetën një minator me detyrë armator.
Sipas burimeve paraprake, viktima ishte duke ndërtuar një armaturë mbrojtëse, që shërben për sigurinë e minatorëve të tjerë, kur ndodhi shembja masive e mineralit, e cila rezultoi fatale për të.
Ngjarja ka ndodhur në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet, ndërsa në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor. Trupi i pajetë është nxjerrë nga galeria dhe është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore.
Aksidente të tilla tragjike ngrenë sërish shqetësime serioze për kushtet e sigurisë në minierat shqiptare, veçanërisht në ato private, ku shpesh raportohen mungesa në infrastrukturën mbrojtëse dhe në zbatimin e protokolleve të sigurisë në punë.
Radar.al


