Ish-deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja akuzohet nga SPAK se ka ndihmuar personazhin e njohur të botës së krimit, shtetasin Altin Hajri, të fshihet, pasi ky i fundit u shpall në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor, dhe SPAK tha se ndaj tij rëndojnë akuzat “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Raportohet se Hajri ka ndërhyrë që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën për deputet dhe bisedat mes tyre për këtë çështje janë zhvilluar në aplikacionin e koduar SkyEcc në vitin 2020.
Në biseda flitet që Jurgis Çyrbja të hynte në listën e sigurtë të PS-së për deputet. Altin Hajri mësohet se ka ndërhyrë për socialistin së bashku me Ahmet Mashën, i arrestuar bashkë me Çyrbjan.
Altin Hajri, një nga anëtarët e grupit kriminal që vepronte në zonën e Shijakut po gjykohet ne mungesë pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Gjithashtu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Por autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.
Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro.
Në tetor 2015 në një operacion të përbashkët të policisë italiane dhe shqiptare të koduar “Enigma”, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroinë.
Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak. Arrestimi i tyre u bë në bazë të një urdhri ndalimi të gjykatës së Venecias së datës 15 gusht të vitit 2015.
Ata akuzoheshin në atë kohë për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa i kishin shpëtuar operacionit të policisë në vitin 2015, bashkë me Altin Hajrin.


