Të tjera detaje po vijojnë të dalin nga operacioni i Policisë dhe hetimet e SPAK që çuan në pranga disa ditë pas lënies së mandatit të deputetit, të Jurgis Çyrbjes.
Njëkohësisht me të të dielën është arrestuar edhe një person tjetër për të njëjtën çështje, Ahmet Masha, ndërsa është shpallur në kërkim një person i tretë.
Këtë të hënë, 21 tetor u bë identifikimi në media i personit që është shpallur në kërkim.
Bëhet fjalë për Altin Hajrin, një emër i njohur i botës së krimit. Raportohet se ky i fundit ka ndërhyrë që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën për deputet dhe bisedat mes tyre për këtë çështje janë zhvilluar në aplikacionin e koduar SkyEcc në vitin 2020.
Në biseda flitet që Jurgis Çyrbja të hynte në listën e sigurtë të PS-së për deputet.
Altin Hajri mësohet se ka ndërhyrë për socialistin së bashku me Ahmet Mashën.
Gjithashtu në biseda ka dalë edhe emri i shtetasit Edmond Koçi, i njohur edhe si Mond Çekiçi.
Kush është Altin Hajri
Ai akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të 2020.
Altin Hajri, një nga anëtarët e grupit kriminal që vepronte në zonën e Shijakut po gjykohet ne mungesë pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Gjithashtu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Por autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.
Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro.
Në tetor 2015 në një operacion të përbashkët të policisë italiane dhe shqiptare të koduar “Enigma”, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroinë.
Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak. Arrestimi i tyre u bë në bazë të një urdhri ndalimi të gjykatës së Venecias së datës 15 gusht të vitit 2015.
Ata akuzoheshin në atë kohë për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa i kishin shpëtuar operacionit të policisë në vitin 2015, bashkë me Altin Hajrin.


