Një grua nga Zelanda e Re u ndalua nga policia të dielën pasi u zbulua se po transportonte një vajzë të vogël në mënyrë të rrezikshme brenda një valixheje gjatë një udhëtimi me autobus.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në terminalin e autobusëve në Kaiwaka, rreth 100 kilometra në veri të qytetit Auckland. Shoferi i autobusit kishte vënë re se një nga valixhet po lëvizte gjatë një ndalese, çka e shtyu të hetonte më tej.
Kur hapi valixhen, u trondit kur gjeti brenda një vajzë 2-vjeçare, e cila ishte mbingrohur, por fatmirësisht nuk kishte dëmtime të dukshme.
Policia konfirmoi se gruaja 27-vjeçare që po udhëtonte me vajzën, është arrestuar dhe po përballet me akuza për keqtrajtim dhe neglizhencë ndaj një të miture.
Vajza ndodhet aktualisht në një spital ku po i bëhet një kontroll i plotë mjekësor. Detektivi Inspektor Simon Harrison vlerësoi reagimin e shpejtë të shoferit, duke theksuar se ai ndoshta ka shmangur një fatkeqësi të rëndë.
Radar.al


