Lionel Messi, fituesi i tetë i “Topit të Artë”, ka qenë pranë një aventure të shkurtër në Ligën Profesionale Saudite, por është refuzuar nga vetë ministri i sportit të vendit.
Sipas mediave saudite, ylli argjentinas kishte shfaqur interes për të luajtur katër muaj në Arabinë Saudite gjatë pushimit të sezonit të MLS, për t’u përgatitur për Kupën e Botës 2026. Propozimi u dërgua nga ekipi menaxherial i Messit drejt Abdallah Hammad, drejtorit të përgjithshëm të Akademisë “Mahd” për Zhvillimin e Talenteve, gjatë Kupës së Botës për Klube verën e kaluar.
“Ia dorëzova kërkesën ministrit (Abdulaziz Al-Faisal), por ai e refuzoi menjëherë. Tha se liga saudite nuk do të ishte kamp stërvitor për askënd,” zbuloi Hammad në një podcast për median saudite Thmanya.
Messi, që aktualisht luan për Inter Miami dhe ka rinovuar kontratën deri në vitin 2028, shpresonte të qëndronte në formë gjatë pauzës së gjatë dimërore të MLS. Një lëvizje e tillë do ta kishte rikthyer përballë rivalëve të mëdhenj si Cristiano Ronaldo e Karim Benzema — por Arabia Saudite vendosi ndryshe.


