Familjarë të Edison Sheme, 43-vjeçari që ndodhet në arrati pasi po kërkohet nga policia për akuzën e abuzimit me të mitur, kanë reaguar dhe kanë mohuar që ai të ketë prekur me dorën vajzën e fqinjit, një 16-vjeçare që ka treguar rastin në Polici.
Nga ana tjetër, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike që ndodhet babai i vajzës, jashtë kamerave kanë reaguar edhe vëllezërit e tij (xhaxhallarët e të miturës):
“Rastin e morëm vesh nëpërmjet televizioneve. Nuk dinim asnjë gjë, sepse edhe vëllai nuk na ka thënë. Vumë re që dje nuk ishte fare në stallë familja e vëllait, as në shtëpi, dhe na ra në sy që mund të kishte diçka. Nuk kemi folur me vëllain, sot kishte ardhur në mëngjes tek stalla dhe iku pa na folur. Edisoni duhet të dënohet për këtë që ka bërë, nuk e besojmë dot dhe nuk na e merrte mendja të arrinte deri këtu.”
Magazina në të cilën dyshohet se Edison Sheme kryente marrëdhënie seksuale me të miturën, ndodhet ngjitur me stallën ku familja e vajzës mbante bagëtitë. Prokuroria ka sekuestruar serverin e kamerave të vendosura në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm të magazinës të cilat do të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë.


